BERZH mbështet Raiffeisen në Shqipëri për rritjen e kreditimit të sipërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme
65 milionë euro Garanci për Rritje në vijim të paketës së mëparshme prej 100 milionë euro
- BERZH do të ofrojë 65 milionë euro përmes programit Garanci për Rritje për Raiffeisen Bank në Shqipëri
- Garancia do të nxisë financimin ndaj bizneseve të vogla në Shqipëri
- 10 për qind e fondeve të garancisë të dedikuara për financime të gjelbra
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Raiffeisen Bank në Shqipëri bashkohen sërish për të nxitur financimin e sipërmarrjeve mikro, të vogla, dhe të mesme në Shqipëri.
BERZH do të ofrojë një garanci prej 65 milionë euro për Raiffeisen Bank në Shqipëri në monedhën vendase të lidhur me portofolin e bankës në vend. Kapaciteti shtesë që do të gjenerojë garancia do t’i mundësojë bankës Raiffeisen alokimin e financimeve të reja për sipërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri duke rritur mbështetjen në ekonomi. 10 për qind e fondeve të reja do të përdoren për financime të gjelbra në përputhje me qasjen e BERZH për Tranzicionin drejt Ekonomive të Gjelbra (GET).
Garancia e re shtesë do të ofrohet nën skemën inovative të BERZH, Garanci për Rritje, që bazohet në suksesin e nismës së parë të prezantuar në fund të vitit 2020 përmes një programi prej 100 milionë euro në monedhën vendase për Raiffeisen Bank në Shqipëri.
Ekaterina Solovova, Drejtoreshë e BERZH në Shqipëri tha: “Qasja në financime për bizneset e vogla dhe të mesme përmes bashkëpunimit me bankat në vend është një nga prioritetet e BERZH në Shqipëri. Ne jemi të lumtur për këtë partneritet me Raiffeisen Bank në Shqipëri për të mbështetur bizneset e vogla përfshirë dhe investimet e tyre për energjinë e gjelbër.”
Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri tha: “Pas suksesit të nismës së parë të Garancisë për Rritje me BERZH, e cila rriti potencialin tonë huadhënës në treg, ne jemi të lumtur të nënshkruajmë një garanci shtesë prej 65 milionë euro. Kjo garanci do të rrisë financimet e gjelbra dhe do të ndikojë në zhvillimin e qëndrueshëm në vend. Ne e vlerësojmë këtë marrëdhënie të shkëlqyer e afatgjatë me BERZH dhe besojmë në vazhdimësinë e saj. ”
Projekti është në përputhje me programin e bashkëpunimit teknik të dedikuar të BERZH me Bankën e Shqipërisë, i cili përqëndrohet në përafrimin e kuadrit rregullator me atë të bankave të Bashkimit Europian. Programi mbështetet nga Luxembourg – Official Development Assistance (ODA) Technical Co-operation Fund dhe forcon përpjekjet e bëra në kuadër të Vienna Initiative ku BERZH është aktive në ruajtjen e stabilitetit financiar përmes promovimit të përafrimit të kuadrit rregullator të bankave me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Raiffeisen Bank është banka e dytë më e madhe në Shqipëri për portofolin e huave, me 16.6 për qind të tregut dhe me shërbime në të gjithë vendin. Pjesë e grupit austriak Raiffeisen Bank International AG.
Deri më sot, BERZH ka investuar mbi 1.8 miliardë euro në Shqipëri.