Skip to main content

Standardi i Përbashkët i Raportimit (CRS) dhe FATCA në Raiffeisen Bank Shqipëri

Në vitin 2014, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), ka publikuar Standardin Ndërkombëtar për Shkëmbimin Automatik të Informacionit për llogaritë financiare. Standardi Ndërkombëtar për Shkëmbimin Automatik (CRS) përbën një kërkesë rregullatore raportimi për Institucionet Financiare, të cilat janë shtete anëtare të juridiksioneve pjesëmarrëse në OECD (shtetet pjesëmarrëse të CRS në OECD mund ti gjeni këtu) dhe shërben për të shmangur evazionin fiskal.

Në Dhjetor 2014, CRS u implementua në Direktivën e BE-së për Ndihmën Administrative në lidhje me çështjet e Taksave. Si rrjedhim shtetet anëtare evropiane ishin të detyruara t’i implementonin këto dispozita në ligjin kombëtar.

Në Shqipëri Standardi filloi te zbatohet përmes Ligjit nr.4 datë 31.01.2020.

Sipas dispozitave të Ligjit nr 4 datë 31.01.2020 Institucionet Financiare në Shqipëri janë të detyruara të përcaktojnë masat e nevojshme për të identifikuar vendin ku klientët e tyre paguajnë taksat (këtu përfshihen persona privatë (individë), subjekte (të gjitha kategoritë e bizneseve), dhe në rrethana të caktuara persona/t kontrollues) si dhe numrin identifikues tatimor të juridiksionit përkatës të shtetit tatimor. Institucioneve Financiare u kërkohet më tej të raportojnë llogaritë financiare të mbajtura nga klientët të cilët për qëllime tatimore janë rezidentë në një juridiksion pjesëmarrës, tek Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve e cila mund të shkëmbejë informacionin me autoritetet tatimore të një vendi tjetër ose të vendeve në të cilat klienti (ose në disa rastet personat kontrollues) mund të jenë rezidentë tatimor.

Raportimi i llogarive financiare përfshin të dhëna të caktuara për mbajtësin e llogarisë (në raste të caktuara edhe për personin kontrollues), si dhe të dhëna për llogarinë. Sipas dispozitave të Ligjit, informacioni i mëposhtëm duhet t'i raportohet organit tatimor:

Për individët:

  • Emri
  • Adresa
  • Juridiksioni (et) i vendbanimit
  • Numri (at) i identifikimit tatimor
  • Data dhe vendi i lindjes (për personat fizikë)
  • Numri (a) i llogarisë për llogaritë e kursimit, thesarit, rrjedhëse dhe të kujdestarisë
  • Gjëndjet ose vlerat e llogarisë deri në fund të vitit kalendarik ose mbylljen e llogarisë
  • Shumën totale bruto të të ardhurave, dividentët ose të ardhurat e tjera të krijuara në lidhje me aktivet e mbajtura në llogari, si dhe të ardhurat totale bruto nga shitja ose riblerja e aktiveve financiare, në secilin rast të paguar ose të kredituar në llogari gjatë vitit kalendarik ose periudha të tjera raportimi.

Në rastin e njësive (entiteteve), personi (at) kontrollues i entitetit, i identifikuar në përputhje me dispozitat e Ligjit nr 9917-2008 i ndryshuar Për Parandalimin e Pastrimit të Parave:

  • Emri
  • Adresa
  • Juridiksioni (et) i vendbanimit
  • Numri (et) i identikimit tatimor
  • Data dhe Vendi i lindjes

Në këtë drejtim, ligji ka përcaktuar edhe përjashtime të caktuara për llogari të cilat nuk janë të raportueshme.

Përjashtime nga raportimi:
Ekziston një përjashtim për klientë të veçantë që nuk përcaktohen si "të raportueshëm". Këto janë disa kategori të  institucioneve financiare, entitete qeveritare, organizata ndërkombëtare, bankat qendrore, korporata aksionet e së cilës tregtohen rregullisht në një ose më shumë tregje të stabilizuara të letrave me vlerë (ose një entitet i lidhur me të).

Duke filluar nga 11.03.2020, të gjitha Institucionet Financiare të vendosura në Shqipëri janë të detyruara të zbatojnë procedurat dhe masat për të përmbushur me kujdes detyrimet, sipas Ligjit Nr. 4, datë 31.01.2020. Rrjedhimisht, të gjithë klientët që duan të hapin një llogari të re do t’u kërkohet të dorëzojnë një Vetë-Deklarim të vlefshëm për të vërtetuar vendbanimin e tyre tatimor dhe numrin (at) e tyre të identifikimit tatimor.

Në rrethana të caktuara edhe për Llogaritë Para-ekzistuese / Klientët para-ekzistues që nuk hapin një llogari të re, do t’u kërkohet të dorëzojnë një Vetë-Deklarim të vlefshëm në mënyrë që të përcaktojnë qartë rezidencën(at) e tyre tatimore dhe numrin (at) e tyre të identifikimit tatimor. Në përgjithësi, informacioni i nevojshëm që klienti duhet të japë në lidhje me TIN (numri i identifikimit tatimor) lidhet me detyrimet tatimore mbi të ardhurat të rezidentit tatimor në rezidencën/at tatimore.

Duhet të theksohet se detyrimi për të siguruar një Vetë-Deklarim të vlefshëm është për të gjithë klientët, pavarësisht nga vendbanimi i tyre tatimor, pra, edhe për klientët që janë ekskluzivisht rezident tatimorë në Shqipëri.

Nëse klientët nuk janë të sigurt për vendbanimin e tyre tatimor, ata duhet të këshillohen me këshilltarin e tyre tatimor në mënyrë që të sqarojnë vendbanimin/et e tyre për qëllime tatimore.

Është e rëndësishme të theksohet se banka e ka të ndaluar të ofrojë këshillë tatimore ose juridike.

Informacione të mëtejshme në lidhje me Standardin e Përbashkët të Raportimit të OECD mund të gjenden në Automatic Exchange Portal of the OECD.

Formulari i vetë-deklarimit mund të shkarkohet në linket më poshtë. Mbasi të plotësohet firmoseni dhe dërgojeni atë, origjinale me postë, ose të skanuar me e-mail, tek punonjësi i bankës i cili ju ka ndjekur ose në adresën elektronike info@raiffeisen.al.

Formularët CRS:

Dokumente dhe linqe të tjera:

Çfarë është FATCA?

FATCA (Ligji për Përputhshmërine Tatimore për Llogaritë e Huaja) është legjislacion amerikan shpallur në 18 Mars 2010 që ka hyrë në fuqi prej 1 Korrik 2014. FATCA kryesisht është një kërkesë rregullatore kundrejt intitucioneve të huaja financiare për të raportuar klientët e tyre amerikanë tek IRS (Institucioni tatimor Amerikan).

Raiffeisen Bank sh.a si pjesë e grupit Raiffeisen Bank International njeh rëndësinë e FATCA dhe vepron në përputhje me kërkesat saj. Përmbushja e kërkesave për identifikim dhe raportim të klientëve bazohet në dhënien e pëlqimit nga ana e tyre.

Raiffeisen Bank sh.a është e regjistruar në U.S. IRS website me FATCA Status “Participating Financial Institution i pambuluar me një IGA"; dhe është regjistruar me GIIN “28CWN4.00009.ME.008” si (Global Intermediary Identification Number).

Për pyetje të mëtejshme, ju lutem na kontaktoni duke klikuar këtu.

Formularët FATCA: