Raiffeisen Bank International bëhet Nënshkruese e Parimeve Globale për Bankingun e Përgjegjshëm
Raiffeisen Bank International (RBI) u bë nënshkruese zyrtare e Parimeve të OKB-së për Bankingun e Përgjegjshëm – një kuadër i vetëm për një industri të qëndrueshme bankare e zhvilluar përmes një partneriteti novator midis bankave në të gjithë botën dhe Iniciativës së Financimit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.
Parimet për Bankingun e Përgjegjshëm përcaktojnë rolin dhe përgjegjshmërinë e industrisë bankare dhe synojnë përafrimin e sektorit bankar me synimet e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së dhe Marrëveshjes së Parisit për Ndryshimet Klimatike 2015. Këto parime, ç ‘është më e rëndësishme i mundësojnë një banke të integrojë parimin e qëndrueshmërisë në të gjitha fushat e saj të biznesit dhe të identifikojë se ku ka potencialin për të ofruar ndikimin më të madh në kontributet bankare për një botë të qëndrueshme. Ato gjithashtu pozicionojnë një bankë për të shfrytëzuar mundësi të reja biznesi me integrimin e ekonomisë së zhvillimit të qëndrueshëm.
Për RBI Group, qëndrueshmëria ka përfaqësuar gjithmonë një parim themelor dhe një masë për suksesin e korporatës. Qëndrueshmëria kuptohet si veprimtari e përgjegjshme e korporatës për një rezultat ekonomikisht pozitiv në terma afatgjatë me qëllim marrjen në konsideratë të aspekteve kryesore shoqërore dhe mjedisore. Rëndësia e kësaj teme reflektohet, për shembull, në faktin se RBI është ofruesi më i madh i bonove të gjelbra mes bankave austriake. Për të qenë një bankier i përgjegjshëm, vlera e shtuar afatgjatë konsiderohet si një objektiv parësor duke përmirësuar njëkohësisht ndikimin e qëndrueshmërisë së aktiviteteve të biznesit. Një qasje gjithëpërfshirëse është ndërmarrë për përmbushjen e këtij objektivi.
Johann Strobl, CEO i RBI u shpreh: “Ne jemi shumë krenarë që jemi grupi i parë bankar austriak që angazhohet për Parimet e UNEP FI për Bankingun e Përgjegjshëm. Si një anëtar afatgjatë i Iniciativës së Financimit të UNEP, ne e shohim nënshkrimin e këtyre parimeve si një tjetër moment historik në lidhje me zhvillimin tonë të qëndrueshmërisë. Për këtë arsye, ne do të intensifikojmë më tej përpjekjet tona për të përforcuar orientimin tonë strategjik si një bankier i përgjegjshëm. Synimi ynë është të ofrojmë produkte dhe shërbime të qëndrueshme financiare për të mbështetur klientët tanë në transformimin e tyre drejt një të ardhme të qëndrueshme dhe për këtë arsye të gjenerojmë gjithashtu një kontribut pozitiv për shoqërinë. Ne e konsiderojmë bankingun e përgjegjshëm si një element të rëndësishëm për të ardhmen e rritjes së biznesit tonë. Kjo është gjithashtu në përputhje me Vizionin tonë 2025 për t'u bërë grupi më i rekomanduar i shërbimeve financiare në ato tregje të EQL-së ku ne operojmë.”