Skip to main content
2560 × 844
2560 × 844

Shkëmbimi automatik i informacionit - Çfarë nënkupton për Shqipërinë dhe bankat shqiptare?

Qëllimi i raportimit të informacionit financiar është që të identifikohen lloje të ndryshme të ardhurash nga investimet, duke përfshirë edhe interesin, dividendët dhe lloje të ngjashme të ardhurash, si dhe të evidentojë situata kur tatimpaguesi kërkon të fshehë të ardhura mbi të cilat janë shmangur tatimet. 

Enkelejda TOTO

Kryespecialiste e Programeve dhe Kontrollit të Përputhshmërisë

RAIFFEISEN BANK  SHQIPËRI

Globalizimi me ritme të shpejta i ekonomisë ndërkombëtare është shoqëruar me një zgjerim të pashmangshëm të lëvizjes ndërkombëtare të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe individëve. Ky proces është shoqëruar me rritje të investimeve jashtë vendeve të rezidencës, e rrjedhimisht me menaxhimin e këtyre investimeve nëpërmjet institucioneve financiare në vendet pritëse. Këtu përfshihen edhe mbajtja e kapitaleve në vendet “offshore”, një nga pasojat e të cilës është edhe mos përmbushja e detyrimeve tatimore në vendet e tyre të origjinës, pra evazion tatimor. Ky është një problem i madh për juridiksionet në të gjithë botën. Duke qenë se të gjitha shtetet kanë interes të përbashkët në ruajtjen e integritetit të sistemeve të tyre tatimore dhe luftën ndaj evazionit tatimor, lindi nevoja e bashkëpunimit midis administratave tatimore për shkëmbimin e informacionit të llogarive financiare, për individë dhe ente, në bazë të disa rregullave të përcaktuara në formën e një standardi të përbashkët raportimi.

Në shkurt të vitit 2014, Ministrat e Financës së G20-ës dhe Guvernatorët e Bankave Qëndrore miratuan Standardin e Përbashkët të Raportimit për shkëmbimin automatik të informacionit tatimor. Qëllimi ishte që të promovohen dhe zbatohen politika për stabilitetin ekonomik dhe financiar ndërkombëtar.

Shqipëria nëpërmjet këtij legjislacioni dhe procesi ka në dorë një mjet shtesë dhe shumë efikas në luftën kundër evazionit tatimor, ndërsa sistemi bankar është një ndërmjetës i fuqishëm në këtë proces, i cili përfiton në radhë të parë një reputacion të fuqishëm, lidhje me integritetin e kryerjes së veprimtarisë financiare në treg.

Shqipëria është anëtarësuar në Marrëveshjen Shumëpalëshe të Autoritetit Kompetent për shkëmbimin e informacionit, me nënshkrimin e saj në tetor të 2014-ës dhe miratimin me vendimin nr.178 datë 09.03.2016, si dhe ka pranuar të shkëmbejë informacionin e llogarive financiare automatikisht në vitin 2020, me ligjin nr. 4/2020. Raportimi i parë në Shqipëri nga bankat do të jetë në 31 korrik 2020 dhe në vitet që do pasojnë do të jetë në fund të muajit maj të çdo viti. Çfarë detyrimesh u dalin bankave shqiptare me këtë rast?Në bazë të Ligjit nr. 4/2020, bankat shqiptare duhet të raportojnë çdo vit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve informacionin mbi llogaritë financiare të raportueshme, për individë dhe njësi ekonomike, si më poshtë:Për individët: gjeneralitetet,  juridiksion/in/et e rezidencës, gjendjen e llogarisë ose vlerën, shumën totale bruto të interesave të gjeneruara gjatë vitit, e të tjera të dhëna individuale sipas formularit.

Për entet: të dhënat e shoqërisë, emrin, juridiksion/in/et e rezidencës, TIN-in(et), numrin dhe gjendjen e llogarisë, shumën totale bruto te interesave te gjeneruara gjatë vitit, sipas tipit të llogarisë (kujdestarie, apo depozite), si dhe të dhëna për individin, pronar të fundit përfitues/personin kontrollues të një NFE pasive, ose Fondi Investimi, me seli në një vend/juridiksion jo-pjesëmarrës, sipas formularit përkatës.

Për të zbatuar këtë detyrim raportimi, bankave u ka lindur detyrimi i identifikimit të rezidencës tatimore të klientëve, si dhe të numrit të identifikimit tatimor, sipas rezidencës tatimore. Një individ, apo ent mund të ketë një, ose më shumë rezidenca tatimore, e rrjedhimisht një ose më shumë numra identifikimi tatimor. Pra, dy janë detyrimet kryesore të bankave për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare: identifikimi i personave (individë dhe ente) të raportueshëm dhe raportimi i tyre.

Në mënyrë që të realizohet procesi i identifikimit dhe i raportimit, banka duhet të kryejë disa procese parapërgatitore dhe të ndërmarrë aksione në përputhje me kuadrin rregullator. Identifikimi i rezidencës tatimore të klientëve kryhet nëpërmjet formës së vetdeklarimit të klientëve. Bankave u del detyrimi i informimit të klientëve të tyre në lidhje me detyrimin për vetdeklarim të rezidencës tatimore, si dhe grumbullimin e këtyre formave brenda një afati të caktuar, sipas kuadrit rregullator në fuqi. Aktualisht në kushtet që jemi, procesi i raportimit të llogarive financiare te Drejtoria e Përgjithshme e

Tatimeve është me të vërtetë një sfidë për sistemin bankar. Cilat janë detyrimet e Shqipërisë  dhe autoriteteve shqiptare në këtë drejtim?Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen Shumëpalëshe të Autoritetit Kompetent për Shkëmbimin Automatik të Informacionit të Llogarisë Financiare. Kjo marrëveshje është miratuar me VKM nr.178, datë 9.3.2016 dhe parashikon që shkëmbimi i informacionit mund të kryhet mbi baza dy-palëshe nga autoritetet kompetente. Sipas marrëveshjes, Shqipëria duhet të fillonte zbatimin e shkëmbimit automatik të informacionit në fund të vitit 2018, por ky afat u shty për vitin 2020, për të pasur kohë për krijimin e bazës ligjore dhe të infrastrukturës së nevojshme për zbatimin e saj. Për zbatimin e këtij detyrimi, duhet të vihet në funksionim një sistem, i cili do të shkëmbejë të dhëna konfidenciale ndërmjet administratave tatimore lokale dhe vendeve të rezidencës tatimore të deklaruar.

Gjithashtu, duhet një bazë rregullatore për procedurat për vigjilencën e duhur, raportimin e informacionit nga institucionet financiare te Drejtoria e Tatimeve, si dhe masat për të siguruar zbatimin efektiv të ligjit. Çfarë synon ky legjislacion dhe cilat janë përfitimet për sektorin bankar dhe vet Shqipërinë?Synimi kryesor i këtij legjislacioni është evitimi i evazionit tatimor.

Qëllimi i raportimit të informacionit financiar është që të identifikohen lloje të ndryshme të ardhurash nga investimet, duke përfshirë edhe interesin, dividendët dhe lloje të ngjashme të ardhurash, si dhe të evidentojë situata kur tatimpaguesi kërkon të fshehë të ardhura mbi të cilat janë shmangur tatimet (p.sh.: duke kërkuar informacion mbi gjendjet e llogarive). Legjislacioni synon që, përveç raportimit, të kufizojë edhe mundësitë që tatimpaguesit të shmangin raportimin përmes përdorimit të subjekteve juridikë ndërmjetës, ose strukturave të tilla. Pra, bankave dhe institucioneve financiare raportuese do t’u duhet të kryejnë një proces vigjilence të duhur dhe të zgjeruar.

Pra, Shqipëria nëpërmjet këtij legjislacioni dhe procesi ka në dorë një mjet shtesë dhe shumë efikas në luftën kundër evazionit tatimor, ndërsa sistemi bankar është një ndërmjetës i fuqishëm në këtë proces, i cili përfiton në radhë të parë një reputacion të fuqishëm, lidhje me integritetin e kryerjes së veprimtarisë financiare në treg.


  • Deklaratë për shtyp
  • 7 min për t'u lexuar