Skip to main content
2560 × 844

Sfidat e Auditimit të Brendshëm gjatë krizës Covid-19

Sfidat e Auditimit të Brendshëm gjatë krizës Covid-19

Tashmë ekziston një mundësi e shkëlqyer që roli dhe funksioni i Auditimit të Brendshëm të jenë më të fortë dhe profesional, për t’i shtuar vërtet vlera drejtimit të organizatave tona, duke i mbrojtur dhe përmirësuar ato, për të qenë biznes i shëndetshëm me korniza të reja kontrollesh dhe rreziqesh, por në të njëjtën kohë fleksibël dhe efektive. 

Dorida STAMBOLLA

Drejtore e Auditimit të Brendshëm

RAIFFEISEN BANK ALBANIA

Pandemia e Covid-19 po shkakton jo vetëm një krizë të shëndetit publik, por sjell me vete edhe një tronditje të madhe ekonomike dhe financiare me sfida të mëdha. Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) pritet të ndikojë ndjeshëm në ekonomitë në mbarë botën. Shkalla e tkurrjes në secilin vend do të varet nga fakti se sa i suksesshëm është ai vend në kufizimin e rritjes dhe parandalimit të valëve të dyta, ose të mëtejshme të këtij virus/i/esh, kohëzgjatjen e masave të zbatuara për të kufizuar kontaktin social e vazhdimësinë e punës nga shtëpia dhe efektivitetin e veprimeve të ndërmarra, për të mbështetur ekonominë.Puna nga zyra, apo nga ndonjë mjedis tjetër i largët (shtëpi, etj.) nuk ka më dallime, pasi pika e takimit me klientët/kolegët/audituesit tanë, është platforma në internet, si mënyra e re e punës dhe ofrimit të këshillave dhe rekomandimeve për të realizuar procese më të mira me kontrolle efikase.Pasiguria e në vijim rreth ashpërsisë së krizës, zgjatja e recesionit dhe shpejtësinë e rikuperimit do ta bëjnë të vështirë vlerësimin e ndikimit të mundshëm të krizës në sektorin bankar. Sidoqoftë, fokusi tani do të jetë në rihapjen e ekonomive, bizneseve dhe bankave (me rreziqe të reja aktuale të shëndetit dhe sigurisë, pajtueshmërisë, ligjore, teknologjisë, operacioneve dhe mashtrimeve etj.). Në kontrast me krizat e tjera të mëparshme (2008/2009), bankat hynë në krizën shëndetësore me kapital të fortë dhe likuiditet dhe menaxhuan trysninë mbi kapacitetet operacionale, duke aktivizuar planet e tyre të vazhdimësisë së biznesit. Sidoqoftë, është e qartë se kriza pritet të ndikojë në cilësinë e aktiveve, e rrjedhimisht edhe mbi përfitueshmërinë e bankave, nëpërmjet rritjes së nivelit të huave me probleme (NPL). Hapat e kalimit drejt "një normaleje të re", të udhëhequr nga parimet shëndetësore dhe konsideratat ekonomike do të jenë tani e tutje në fokus të ekipeve drejtuese të bankave. Rruga nga pas-mbylljes së ekonomisë drejt normalizimit do kalojë përmes mësimeve të marra, e kjo do të çojë në ide dhe mundësi të reja.

Kjo vlen edhe për rolin e Auditimit të Brendshëm. Këtu e rëndësishme është se si të zvogëlohen rreziqet në një mjedis të ri të kontrollit, duke edukuar palët e interesuara për ndryshimet e proceseve, procedurave, platformave, duke qenë këshillues më pro-aktivë, të përfshirë dhe të besueshëm për menaxhimin e bankës. Tri radhët e mbrojtjes se organizatave, do të duhet të përmirësojnë më tej komunikimin dhe bashkëpunimin ndër-funksional, pasi rreziqet dhe kontrollet tashmë janë ndryshuar dhe përshtatur me situatën e re. Bazuar në përvojën tonë, auditimit të brendshëm nuk i është kërkuar të kalojë në radhën e parë ose/dhe të dytë të mbrojtjes, gjë që do të rrezikonte pavarësinë e funksionimit të tij. Tashmë është koha për të transformuar dhe digjitalizuar funksionin e Auditimit të Brendshëm.

Ne të gjithë punojmë në distancë, por duhet të qëndrojmë të lidhur pasi mjetet dhe teknologjia janë gjerësisht të disponueshme, duhet të ecim përpara duke kuptuar ndryshimet brenda organizatave, duke rishikuar dhe përshtatur vlerësimet e planet tona të rrezikut, të përshtatemi duke i dhënë përparësi auditimeve të nevojshme dhe proceseve tona, të përdorim analiza të të dhënave në punën tonë të përditshme (analiza robotike e inteligjente të biznesit), të eksplorojmë aftësi të reja të punonjësve tanë dhe identifikojmë talentet në ekipet tona, të përdorim trajnime online, të transformojmë platformat tona teknologjike, të ndihmojmë organizatën dhe klientët tanë përmes të gjitha sfidave të reja. 

Me “normalen e re” të punës së auditimeve në distancë, duhet të sigurohemmi nëse ka auditime që kanë afate fikse të përcaktuara nga rregullatorët, për të cilat duhet të vazhdojmë më tej, për sa kohë që nuk komunikohen shtyrje/afate të reja nga rregullatorët. Mund të ketë auditime në fusha të cilat janë vendimtare dhe shumë të ngarkuara me vazhdimësinë e veprimtarisë dhe operacioneve të biznesit, për të cilat shtyrjet dhe riorganizimi i planit të auditimit mund të jenë zgjidhja më e mirë. Në këto kushte, duhet të përdoren vlerësimet e reja të rrezikut. Nisur nga përvoja, një zgjidhje mund të jetë që auditimi të aplikohet në një modalitet të ndryshëm, siç janë: fushëveprimi i reduktuar dhe i përqendruar, afate të tjera, etj.

Megjithatë, kjo varet nga struktura e organizatës, mjedisi ku punon auditimi, si dhe njësitë e të audituarve. Prandaj, kemi nevojë për një qasje rast-pas-rasti dhe prioritizim, duke qenë më fleksibël në kontrast me qasjen dhe planin tonë tradicional. Tashmë me situatën e re, lind nevoja e "auditimeve në distancë" jo vetëm gjatë fazave të përgatitjes dhe hartimit, por edhe në "periudhën e vizitave në vend" me intervista, verifikime e kontrolle të dokumenteve të auditimit, nëpërmjet platformave online. Puna nga zyra, apo nga ndonjë mjedis tjetër i largët (shtëpi, etj) nuk ka më dallime, pasi pika e takimit me klientët/kolegët/audituesit tanë, është platforma në internet, si mënyra e re e punës dhe ofrimit të këshillave dhe rekomandimeve për të realizuar procese më të mira me kontrolle efikase. 

Maji është muaji ndërkombëtar (global) i ndërgjegjësimit mbi profesionin e Auditimit të Brendshëm brenda organizatës. Si i tillë, disa evente organizohen në të gjithë botën gjatë këtij muaji. Edhe këtu në Shqipëri, ne jemi një komunitet i konsiderueshëm i audituesve të brendshëm, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Takime online, webinar-e, shkëmbime të përvojave etj., janë organizuar nga AAB, AIIA, universitetet, etj., me qëllimin kryesor që të qëndrojmë të lidhur, të menaxhojnë në mënyrën e duhur situatën dhe të promovojnë profesionin e Auditimit të Brendshëm në vend. 

Sipas Përkufizimit të Auditimit të Brendshëm në Kornizën Ndërkombëtare të Praktikave Profesionale të IIA (IPPF), ... "auditimi i brendshëm është një veprimtari e pavarur, sigurimi dhe këshillimi e dizajnuar për të shtuar vlerën dhe për të përmirësuar operacionet e një organizate. Ai e ndihmon organizatën të përmbushë objektivat e saj, duke sjellë një qasje sistematike, e të disiplinuar, për të vlerësuar dhe përmirësuar efektivitetin e menaxhimit të rrezikut, kontrollit dhe proceseve të qeverisjes”. 

Këto janë periudha të jashtëzakonshme, që kërkojnë drejtim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Tashmë ekziston një mundësi e shkëlqyer që roli dhe funksioni i Auditimit të Brendshëm të jenë më të fortë dhe profesional, për t’i shtuar vërtet vlera drejtimit të organizatave tona, duke i mbrojtur dhe përmirësuar ato, për të qenë biznes i shëndetshëm me korniza të reja kontrollesh dhe rreziqesh, por në të njëjtën kohë fleksibël dhe efektive.  Një thënie e Sokratit pohon se..."e vetmja gjë që di është se nuk di asgjë ... dhe se kontrollet e tua duhen përmirësuar" ose Volteri thotë... "nëse auditimi i brendshëm nuk ekziston, do të duhej të shpikej”! (*) Kryetare e Komitetit të Auditimit të Brendshëm në Shoqatën Shqiptare të Bankave (AAB).  Anëtare Bordi në Institutin e Auditimit të Brendshëm në Shqipëri, pjesë e atij Global (IIA).