Kërkesa për produkte investimi po rritet
Intervistë me Vilma Baçe, Anëtare e Bordit Drejtues për Biznesin Retail në Raiffeisen Bank Albania
Klientët e sektorit bankar po shfaqen gjithmonë e më shumë të interesuar për produktet e investimit. Vilma Baçe, Anëtare e Bordit Drejtues për Biznesin Retail në Raiffeisen Bank Albania, shprehet në një intervistë për “Monitor”, se zhvillimet teknologjike që rrisin aksesin në informacion dhe iniciativat për edukim financiar, i kanë bërë klientët më të vetëdijshëm për mundësitë e investimit dhe përfitimet e tyre. Kjo ka sjellë një rritje të kërkesës për produkte të ndryshme investimi, nëpërmjet të cilave klientët mund të diversifikojnë portofolin e tyre financiar dhe potencialisht të përfitojnë nga kthime më të larta sesa ato të produkteve tradicionale bankare, si depozitat. Sipas saj, në tregun financiar shqiptar, disa produkte investimi me potencial të rëndësishëm janë fondet e investimeve, fondet e pensionit privat dhe obligacionet.
Pse bankat tregtare shqiptare historikisht kanë shfaqur vëmendje të pakët për produktet e investimit?
Bankat tregtare shqiptare kanë treguar një qasje të kujdesshme në lidhje me produktet e investimit dhe kjo për shkak të disa faktorëve:Së pari, stabiliteti ekonomik. Shqipëria, si një treg në zhvillim, ka kaluar nëpër disa faza të rëndësishme të stabilitetit financiar dhe ekonomik dhe bankat kanë luajtur një rol thelbësor në konsolidimin e këtij stabiliteti përmes fokusimit në shërbime tradicionale dhe të sigurta, siç janë kreditë dhe depozitat. Ato kanë ruajtur një qasje të kujdesshme për promovimin e produkteve të investimit të cilat janë të ndikueshme nga luhatjet ekonomike dhe janë subjekt i rreziqeve të tregut, duke kërkuar një menaxhim të vazhdueshëm profesional. Së dyti, do të permendja nivelin e maturimit të tregut financiar në Shqipëri, i cili ka qenë vazhdimisht më pak i zhvilluar në krahasim me tregjet e BE-se dhe ku infrastruktura dhe ekspertiza për të mbështetur një gamë të gjerë produktesh investimi, kanë qenë të kufizuara.Së treti, kërkesa e konsumatorit për produkte investimi dikur ka qenë e ulët dhe kjo për shkak të një kulture financiare të kufizuar dhe një qasjeje përgjithësisht konservatore ndaj rrezikut, duke i dhënë prioritet produkteve tradicionale bankare, si llogaritë e kursimit dhe depozitat. Së fundmi, konteksti historik ka pasur pa dyshim rolin e tij. Krizat e shkuara financiare të më shumë se dy dekadave më parë kanë çuar në një sjellje më të kujdesshme të bankave në prezantimin dhe promovimin e shërbimeve të lidhura me investimet. Pavarësisht këtyre faktorëve, sot mund të themi me krenari se qasja e bankave ka pësuar ndryshime thelbësore. Rritja e numrit të aktorëve ku në fokus të biznesit janë produket e investimit, zgjerimi i ofertës së këtyre produkteve nga bankat si dhe përmirësimi e plotësimi i kuadrit rregullator kanë krijuar tashmë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe produkteve të investimit. Dhe bankat mbeten pa dyshim pioniere të këtyre zhvillimeve të tregut financiar.
A vëreni aktualisht kërkesë nga klientët e sektorit bankar për produkte investimi?
Patjetër! Gjithmonë e më shumë, vërehet një rritje e kërkesës për produkte investimi nga klientët e sektorit bankar në Shqipëri dhe kjo vjen për disa arsye, të cilat lidhen me çfarë përmenda me lart.Një faktor kyç është rritja e edukimit financiar në popullatën e gjerë. Zhvillimet teknologjike që rrisin aksesin në informacion dhe iniciativat për edukim financiar, i kanë bërë klientët më të vetëdijshëm për mundësitë e investimit dhe përfitimet e tyre. Kjo ka sjellë një rritje të kërkesës për produkte të ndryshme investimi, nëpërmjet të cilave klientët mund të diversifikojnë portofolin e tyre financiar dhe potencialisht të përfitojnë nga kthime më të larta sesa ato të produkteve tradicionale bankare si depozitat.Bankat i janë përgjigjur kësaj kërkese duke ofruar gjithnjë e më shumë produkte të reja financiare. Disa nga këto produkte përfshijnë fondet e investimi, (mutual funds) fondet e pensionit (pension funds), obligacione (bonds), certifikata depozitash, etj. Këto produkte të reja janë lehtësisht të aksesueshme për një gamë të gjerë klientësh.Për më tepër, zhvillimi i tregut financiar ne Shqiperi ka luajtur një rol të rëndësishëm, si në rritjen e besimit të klientëve, ashtu edhe në atë të hapësirave për investim. Pavarësisht se ka ende nevojë për përmirësime në drejtim të rregullimit dhe standardizimit, edukimit financiar dhe ofertës së produkteve, tregu i produkteve të investimit në Shqipëri po tregon shenja të fuqishme të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Cilat produkte të investimit mund të kenë potencialet më të rëndësishme për karakteristikat e tregut financiar shqiptar?
Në tregun financiar shqiptar, disa produkte investimi me potencial të rëndësishëm janë fondet e investimeve, fondet e pensionit privat dhe obligacionet. Fondet e investimeve (mutual funds), ofrojnë diversifikim dhe menaxhim profesional të aseteve. Këto fonde janë tërheqëse për investitorët që kërkojnë të minimizojnë rrezikun përmes një portofoli të diversifikuar, duke përfituar kështu nga ekspertiza e menaxherëve profesionalë të këtyre fondeve. Këto produkte ofrojnë gjithashtu mundesine për të pasur akses indirekt ne instrumenta financiare që tregtohen në tregje të huaja të rregulluara, si aksionet apo obligacionet sovrane dhe korporative. Fondet e pensionit privat janë po aq të rëndësishme, sidomos në kontekstin e ndryshimeve me të fundit ligjore të lidhura me lehtesira fiskale për anetarin ne fond. Këto fonde ofrojnë një zgjidhje të besueshme për të ardhmen financiare të individëve, duke siguruar përfitime alternative gjate periudhes së pensionit. Obligacionet, qofshin të korporatave apo qeveritare, janë një opsion i mire për investitorët që preferojnë të ardhura fikse. Me stabilitetin ekonomik në rritje, këto instrumente financiare mund të sigurojnë kthime të qëndrueshme.Aksionet dhe indekset janë gjithashtu një tjetër kategori që mund të paraqesë interes për një game më të kufizuar investitorësh, për shkak të rrezikut që mbartin. Ndërsa ndërgjegjësimi dhe infrastruktura për tregjet e kapitalit përmirësohen, investimi në aksione të kompanive të listuara mund të bëhet një domosdoshmeri dhe të ofrojë mundësi diversifikimi si ne aspektin e investitorit ashtu edhe në atë të emetuesit, i cili zgjeron në këtë mënyrë hapësirat për financim. Zhvillimi i mëtejshëm i Bursës Shqiptare të Titujve, nëpërmjet listimit të kompanive vendase në të, do t’u lehtësonte këtyre të fundit aksesin në kapital si dhe do t’u mundësonte investitorëve tregtimin e instrumentave të ndryshëm në një treg të rregulluar, likuid dhe të sigurt.
Obligacionet e shoqërive tregtare janë ndër risitë kryesore në tregun financiar shqiptar pas vitit 2012 dhe bankat janë ndër emetuesit kryesorë. Si mund të rritet aksesi i investitorëve potencialë në këto instrumente? Shihni potenciale që më shumë banka të ushtrojnë aktivitet si nënshkrues (underwriter) të letrave të borxhit të shoqërive tregtare?
Për të rritur aksesin e investitorëve potencialë në obligacionet e shoqërive tregtare në Shqipëri, mund të ndërmerren disa masa kyçe dhe të domosdoshme. Së pari, përmirësimi i infrastrukturës së tregtimit, duke përfshirë ndërtimin ose përmirësimin e platformave digjitale, që do të lehtësonte pjesëmarrjen e investitorëve ne to.Edukimi financiar përmes fushatave dhe seminareve gjithashtu do ti ndihmonte këta të fundit për të kuptuar më mirë përfitimet dhe risqet e investimit në obligacione të kompanive private.Një regjim fiskal i favorshëm do të inkurajonte më shumë investitorë të hyjnë në treg, duke lehtësuar detyrimet fiskale për investimet në këto instrumente. Ndërkohë, transparenca, aksesi në informacion, stabiliteti financiar i emetuesit dhe likuiditeti i instrumentit janë kusht për rritjen e besueshmërinë së investitorëve. Sa i përket potencialit që më shumë banka të ushtrojnë aktivitetin si nënshkrues të letrave të borxhit, ky sigurisht ekziston dhe do të ndikonte pozitivisht në tregun tone. Aktiviteti i nënshkruesit të letrave të borxhit të shoqërive tregtare i krijon bankave hapësirë për të përfituar si në aspektin e rritjes së të ardhurave dhe diversifikimit të tyre e deri tek forcimi i marrëdhënies me klientët dhe rritjes së reputacionit dhe influencës në treg. Zbatimi i rregulloreve të qarta dhe të qëndrueshme për aktivitetin e nënshkrimit do të krijonte një ambient më të favorshëm për bankat që të angazhohen në këtë aktivitet, duke investuar në rritjen e kapaciteteve profesionale të stafeve të tyre dhe ne sistemet e nevojshme për këtë shërbim.
Në Shqipëri, investimi direkt në titujt financarë të emetuar në tregjet e huaja ngelet i vështirë. Çfarë roli mund të luajë sektori bankar për t’u hapur investitorëve shqiptarët këtë derë?
Sektori bankar është në një pozicion unik për të luajtur një rol të rëndësishëm në lehtësimin e aksesit të investitorëve shqiptarë në tregjet financiare ndërkombëtare.Së pari, dhe forma më e thjeshtë është që bankat të ofrojnë fonde investimi, asetet e të cilave janë tërësisht të investuara në tregje të huaja. Këto fonde mund të jenë të administruara nga shoqëri administruese lokale ose të huaja dhe u japin mundesi investitorëve të diversifikojnë portofolin e tyre përtej kufijve kombëtarë.Një tjetër rol i rëndësishëm lidhet me aktivitetin e ndërmjetësimit të titujve. Aksesi në platformat ndërkombëtare është një domosdoshmëri për investitorët që duan të investojnë jashtë vendit. Bankat mund të sigurojnë këtë akses duke krijuar partneritete me ndërmjetës ndërkombëtare, ose duke zhvilluar platformat e tyre që mbështesin transaksionet ndërkombëtare. Kjo do të thjeshtësonte procesin e blerjes dhe shitjes së titujve financiarë në tregjet e huaja.
Bashkepunimi me institucione globale që ofrojnë sherbime të kujdestarisë dhe investimi në sisteme të posaçme për këto sherbime është gjithashtu i nevojshëm për t’u dhënë investitorëve akses në produkte investimi globale, duke siguruar në të njëjtën kohë kujdestarinë për këto instrumenta.Shërbimet këshilluese dhe roli edukues janë gjithashtu jetike. Bankat mund të ofrojnë konsulencë financiare të personalizuar për të ndihmuar investitorët të kuptojnë më mirë tregjet ndërkombëtare, mundësitë e investimit dhe rreziqet e lidhura me to. Kjo do të përfshinte analizat e tregut, rekomandimet strategjike dhe mbështetjen në vendimmarrje për të siguruar që investitorët të ndermarrin zgjedhje të informuara dhe të sigurta.Duke përmbushur këto aspekte, sektori bankar shqiptar mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjerimin e aksesit të investitorëve shqiptarë në tregjet financiare ndërkombëtare.
Besoni së anëtarësimi i Shqipërisë në zonën unike të pagesave SEPA mund të lehtësojë ofrimin e investimeve në tregjet e huaja nga institucionet financiare shqiptare?
Po, personalisht mendoj së anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA do të ndihmojë në lehtësimin e ofrimit të investimeve në tregjet e huaja nga institucionet financiare shqiptare për arsye së ky lloj standardizimi, së pari, do të sjellë zvoglim të kostove, duke i bërë transaksionet më ekonomike për investitorët.Së dyti, me proceset e unifikuara të pagesës, transaksionet kryhen në mënyrë më të shpejtë dhe efikase, gjë që mund të rrisë qarkullimin e kapitalit dhe të ndihmojë institucionet shqiptare të reagojnë më shpejt ndaj mundësive të investimit në tregjet e huaja financiare.Gjithashtu, standardizimi i pagesave nëpërmjet SEPA-s ofron një strukturë më transparente, e cila mund të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të rrezikut dhe të bëjë më të lehtë vlerësimin e mundësive të investimeve, duke e afruar gjithmonë e më shumë tregun tonë, me tregjet e vendeve të BE-së, ku ne synojmë të jemi pjesë.